04/03/2026
Sot më thirri një bashkatdhetar i cili kishte ndërmend të ndërtonte një shtëpi në Zvicër dhe më pyeti: “A bëni plane?”. I thashë: nëse ju drejtoheni kompanisë sonë përmes internetit, ne bëjmë planet e ndërtimit, bëjmë aplikimin për leje, bëjmë inxhinierinë dhe gjithashtu edhe ndërtimin.
Ai më tha: “Desha vetëm të sigurohem, sepse shqiptarëve nuk iu besohet.”
Unë iu përgjigja: “Në rregull, atëherë gjeni një arkitekt tjetër, një inxhinier tjetër dhe një kompani tjetër që i besoni.”
Pastaj u kthye dhe më tha: “Jo, jo, kam dëgjuar që jeni shumë të mirë dhe që e kryeni punën shpejt dhe seriozisht.”
Unë i thashë: “Gjithçka varet nga klienti. Nëse klienti paguan me kohë, edhe njerëzit tanë punojnë shpejt dhe me precizitet. Nëse pagesat zvarriten, atëherë edhe puna nuk mund të ecë si duhet.”
Deri më tani në ndërmarrjen tonë kemi pasur vetëm një klient shqiptar, nga Juniku, dhe për fat të keq jam zhgënjyer me të. Ka dy vite që nuk ka kryer pagesën, edhe pse puna është bërë në kohë rekord dhe në mënyrë shumë profesionale. Në fund na doli me justifikime dhe fjalë të paqarta.
Është e papranueshme që një shërbim të kryhet korrekt dhe në fund të trajtohesh me gënjeshtra dhe me pagesa të papaguara. Për këtë arsye, deri më sot, në ndërmarrjen tonë pothuajse nuk kemi fare klientë shqiptarë.
Për ne është shumë e rëndësishme që bashkëpunimi të jetë korrekt nga të dyja palët: ne ofrojmë punë serioze dhe profesionale, ndërsa nga klienti presim korrektësi dhe respektim të marrëveshjeve dhe pagesave.